Prokuroria jep detaje për agjencionin që po mashtron qytetarët me rezervime
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj Agjencisë “BCD Travel”, pasi që dyshohet se ka mashtruar qytetarë të cilët kanë paguar shuma të konsiderueshme të parave, kinse për sigurimin e vizave në vendet evropiane.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të mbrojtjes së interesit publik të qytetarëve, ju njofton se Agjencia “BCD Travel”, me seli dikur në Bregun e Diellit, në Prishtinë, tani është duke funksionuar On line, në rrjetet sociale, me disa persona të dyshuar se në bashkëkryerje po mashtrojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe të vendeve fqinje me aranzhmane turistike në Turqi, Dubai, Maldive, Egjipt, si dhe përmes shitjes së biletave të fluturimeve në vendet e Evropës”, bëhet e ditur në komunikatën e Prokurorisë.
Në komunikatën e Prokurorisë bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit është duke e trajtuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm këtë rast dhe personat e përfshirë në kryerjen e veprave penale do të ndiqen penalisht. Me këtë rast Prokuroria u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët janë të dëmtuar nga ky agjencion turistik, të bashkëpunojnë me organet e rendit, pasi synimi kryesor është luftimi i suksesshëm i krimit dhe sigurimi i sundimit të ligjit, si dhe mos të bien pre e mashtrimeve të tilla./21Media