Rama: Tash është koha t’u përvishemi punëve!
Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, sot u shpreh se pranimi i detyrës dhe betimi për të parin e Prishtinës ishte ditë e veçantë për të dhe për të gjithë banorët e Prishtinës.
Rama falënderoi të gjithë ata që e kanë uruar dhe theksoi se tani është koha që t’i përvishen punëve.
“Zëri juaj, vullneti i mirë për të bërë ndryshime të mbara e afatgjata në Prishtinën tonë të zemrës nuk është më moto e fushatës, por zotim i imi dhe i ekipit tim. Në këtë seancë inauguruese të Kuvendit Komunal të Prishtinës, dhashë betimin si Kryetar i Komunës, i zgjedhur nga ju, besim i cili më jep përgjegjësi të jashtëzakonshme, por edhe nderin më të madh e më të përgjegjshëm të jetës sime. Tash është koha t’u përvishemi punëve!”, shkroi Rama në Facebook.
Ndryshe, më 07 dhjetor, Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama është betuar para asamblistëve të Kuvendit të Prishtinës. Ramës, detyra i është dorëzuar nga ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti./21Media