Klopp: Është e qartë që Gerrard do të jetë trajner i Liverpoolit

Jurgen Klopp është i sigurt që Steven Gerrard në të ardhmen do të jetë trajneri i ardhshëm i Liverpoolit.
Gerrard së bashku me skuadrën e tij Aston Villan udhëton nesër drejt “Anfield Road”, kështu duke u rikthyer tek ish-klubi i tij për herë të parë por në rolin e trajnerit.
Ish-mesfushori anglez e filloi karrierën si trajner me të rinjtë e Liverpoolit, ku më pas iu bashkua skuadrës skoceze Rangers në vitin 2018. Sezonin e kaluar, ai udhëhoqi Rangers drejt titullit të tyre të parë pas një dekade, duke i dhënë fund dominimit të Celtic.
Për një kohë të gjatë, Gerrard shihet si trajneri i ardhshëm i Liverpoolit, dhe me këtë gjë është pajtuar edhe Jurgen Klopp, kontrata e të cilit skadon në fund të sezonit 2023/24.
“Po, mendoj, sigurisht, problemi i vetëm qëndron se kur do të jetë momenti i duhur. Jo vetëm për Stevie, por shikoni edhe te Frank Lampard me Chelsean, diçka e ngjashme. Stevie është duke kaluar nëpër disa momente të mira, ai është shumë i ri nga perspektiva e trajnerit. Kështu që, jo pse nuk mund ta bëjë, por problemi qëndron se kur dëshiron ai ta bëjë këtë gjë. A është puna e tij e fundit, e dyta ose e treta ose çfarëdo? Këto janë pyetje që nuk mund të iu përgjigjem, por po, unë mendoj që është definitive që do të ndodhë, dhe do të jetë gjë e mirë për të gjithë”, tha Klopp.
Steven Gerrard, i cili është një legjendë te Liverpooli, ka fituar Ligën e Kampionëve në vitin 2005, së bashku me tre Kupa EFL dhe një UEFA Cup me “Të Kuqtë” gjatë karrierës së tij.

Back to top button