Sot protestojnë gastronomët
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës dhe të Odës së Hotelierisë e Turizmit sot ora 13:00 do të mbajnë protestë në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.
Ata konsiderojnë se Qeveria e Kosovës po i mban mbyllë klubet e natës e sallat e dasmave, pa asnjë mbështetje.
“Na kanë burgosë e as bukë spo na japin. Po i thërrasim e spo na përgjigjen. Po i kërkojmë pak mëshirë, e të burgosur po na vrasin përditë”, është bërë e ditur në një shkrim Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës në “Facebook”.
Gastronomët kanë deklaruar se durimit të tyre tashmë i ka ardhë fundi.
“Jemi tu duru që 19 muaj duke i mbajtë mbyllë Klubet e Natës e Sallat e Dasmave, pa asnjë mbështetje. Kafiterive e restauranteve vetëm po ju keqësohen punët përditë me rritje enorme të çmimeve, me kujdes ndaj konsumit, dhe ulje të profitit”, është shkruar tutje në njoftim.
Duke thënë se kjo mbyllje po e shkatërron ekonominë, e po e rritë varfërinë, gastronomët kanë bërë ftesë për protestë.
“Ju ftojmë ti bashkoheni zërit të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës dhe Odës së Hotelierisë e Turizmit të Kosovës, duke qenë pjesë e protestës sonë të madhe, për ti mbrojtur të drejtat tuaja dhe idealin tonë, për ta shpëtuar shëndetin tonë e mirëqenien tuaj! Të mërkurën më 15 Dhjetor, në ora 13:00, të gjithë në sheshin “Skënderbeu”, para Qeverisë! BOLL MA!”, është bërë e ditur tutje në njoftim.
Me masat e fundit kufizuese, veç tjerash, ashpërsohen edhe kushtet për hyrje në Kosovë, ndërsa kufizimi i lëvizjes vazhdon të jetë në fuqi nga mesnata deri në orën 05:00. Orari i punës së gastronomisë, po ashtu, nuk ndryshon; puna e këtij sektori lejohet deri në orën 23:00, ndërsa muzika ndalohet pas orës 21:30. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?