Kurti e konsideron veten kryeministrin më transparent që ka pasur Kosova
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konsideron se është kryeministri më transparent që ka pasur Kosova. Kurti, mungesën nëpër studio televizive e ka arsyetuar me konferencat për media pas mbledhjeve të Qeverisë e përgjigjet në seancat parlamentare ndaj pyetjeve të deputetëve.
“Unë kam qenë shpesh në konferenca për media pas mbledhjeve të Qeverisë ose edhe pa to. Jam edhe kryeministri që u jam përgjigjur më së shumti pyetjeve parlamentare ku duhet të jap llogari. Mbase s’ka pasur të tjerë që u përgjigjet të gjitha pyetjeve. I kemi pasur 120 konferenca për media për tetë muaj që i bie çdo të dytën ditë nga një konferencë e ndonjë ministri, timen apo zëvendësministri. Në kuptimin e transparencës s’kemi ngecur e as për qasjen në dokumente zyrtare. 441 kërkesa të gazetarëve dhe zyra e kryeministrit i është përgjigjur 406 sosh. Vetëm 35 janë konsideruar të pabazuara”, ka thënë ai.