KEDS thotë se privatizimi ka qenë i suksesshëm
Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) sot ka deklaruar se sektori i energjisë në Kosovë është duke kaluar një nga sfidat më të mëdha që nga përfundimi i luftës dhe se bashkë-ndjejnë me qytetarët. KEDS ka theksuar se i kuptojnë protestat dhe se është e drejtë e qytetarëve.
“Këtë vit po përballemi me krizë globale të rritjes së çmimeve, rritjes enorme të konsumit dhe rënies së prodhimit. Këta faktorë prekin tërë sistemin elektro-energjetik, pjesë e të cilit janë edhe konsumatorët. Ne si kompani jemi të shqetësuar për këtë. Madje, për disa muaj me radhë e kemi bartur krizën në supet tona, pa u afektuar konsumatori aspak, deri sa i shterëm të gjitha resurset tona. Si kompani jemi në vitin e 9 të operimeve. Që nga fillimi i operimeve tona kemi hequr planin e reduktimeve të njohur si Kategorizimi “ABC”. Vetëm kujtojeni se si ka qenë furnizimi me rrymë vitin e kaluar, krahasuar me këtë vit!? Ky është shembulli më i mirë se privatizimi ka qenë i suksesshëm dhe ne si kompani jemi krenar me atë që kemi arritur.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Tutje, KEDS ka informuar se kanë investuar gati 200 milionë euro në sistem dhe se “operimi ynë i përgjithshëm sot është shumë më efikas”.
“Kur e kujtojmë gjendjen që e trashëguam dhe pasi të merren në konsideratë të gjitha projektet e realizuara deri tani, atëherë privatizimi i KEDS-it, s’ka si quhet ndryshe, pos një storie suksesi. Edhe këto ditë kemi bërë çdo gjë që është e mundur që të kalohet sa më lehtë kjo situatë. Kemi dhënë rekomandime dhe mbesim të gatshëm që të luajmë rolin tonë në këto rrethana. Por, KEDS dhe KESCO janë vetëm njëri nga akterët në sektorin e energjisë.” është bërë e ditur në komunikatë.
KEDS ka shtuar se janë të gatshëm për bashkëpunim.
“Dëshirojmë t’i sigurojmë të gjithë akterët tjerë relevantë se jemi të gatshëm për bashkëpunim, ashtu siç kemi qenë që nga shtatori, kur filluam të ofrojmë rekomandime për autoritetet si të menaxhohet në mënyrë sa më efikase kjo krizë. Është koha që tërë energjinë ta përqendrojmë në tejkalimin e kësaj situate, në vepra konkrete, e jo për sulme që cenojnë kredibilitetin e kompanisë jashtë dhe brenda vendit dhe mohojnë të arriturat e kompanisë ndër vite.”, ka shtuar tutje KEDS./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?