Omicron detektohet në 12 qytete! Rritet numri i personave të ri-infektuar me Covid-19
Sipas raportit javor të Institutit për Shëndet Publik të Maqedonisë së Veriut, numri i personave pozitivë me SARS-CoV-2 është rritur për 51% krahasuar me javën e kaluar. Grupmoshat më të prekura janë 30-39 (27%), 20-29 (24%) dhe 40-49 (17%). Numri më i ulët është regjistruar në grupmoshën 0-9 (2%).
Në periudhën njëjavore, pra nga data 3 deri më 9 janar, janë raportuar 946 riinfeksione. Nga analizat e kryera prej gjithsej 152 mostrave pozitive me SARS-CoV-2, në 104 prej tyre, gjegjësisht në 68% të mostrave është zbuluar varianti omicron i koronavirusit. Omicroni është zbuluar në 12 qytete, respektivisht në Shkup janë regjistruar 48 raste, Ohër – 27, Koçan – shtatë, Tetovë – gjashtë, Veles – pesë, Pehçevë, Shtip, Gjevgjeli, Kavadar nga dy dhe Vinicë, Negotinë, Manastir nga një të infektuar.
Sipas raporteve nga spitalet, thanë nga Ministria e Shëndetësisë, aktualisht në të gjithë vendin si pasojë e Covid-19 të shtruar në spital janë 351 persona, që paraqet rritje prej 41% krahasuar me javën e kaluar.
Nga numri i përgjithshëm i pacientëve të shtruar, 156 janë në Shkup. Në spitalet tjera ka pacientë të shtruar në Manastir, Shtip, Veles, Kumanovë, Ohër, Prilep, Strugë, Kërçovë, Kavadar dhe Strumicë.
“Është rritur numri i kontrolleve ditore në repartet infektive nëpër spitalet në vend. Sipas anketave epidemiologjike, shumica e pacientëve kanë pasur kontakt me një rast pozitiv tre ditë para shfaqjes së simptomave/marrjes së rezultatit pozitiv”, informuan nga Ministria e Shëndetësisë, raporton TV21./21Media