Rreth 250 mijë armë ilegale në duart e kosovarëve

Rreth 250 mijë armë ilegale janë në posedim të qytetarëve të Kosovë. Kështu ka bërë të ditur për portalin rtv21.tv Ministiria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB).
“Në bazë të statistikave, në Kosovë gjinden rreth 250.000 armë ilegale në posedim të qytetarëve. Ky numër është me i vogël për rreth 100.000 armë që nga koha e hulumtimit paraprak në të cilin kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për rtv21.tv. Sipas MPB-së, faktori që kanë ndikuar në zvogëlimin e këtij numri është miratimi i ligjit për armët i cili mundëson që qytetarët të pajisen me armë në mënyre legale.
Në Kosovë, vetëm në vitin e kaluar, sipas Policisë së Kosovës nga armët ilegale janë kryer 19 vrasje. Rasti i fundit është vrasja e 48-vjeçares në Llaushë të Skënderajt, më 5 janar të viti 2022.
“Rastet e vrasjeve në përgjithësi janë shqetësuese dhe shkaktohen për motive të ndryshme, përderisa vendimet lidhur me rastet e tilla dhe përcaktimi i dënimeve është kompetencë e organeve të drejtësisë. Disa raste te vrasjeve janë me kryes të njohur kurse disa nga rastet janë në proces hetimor dhe Policia ne bashkëpunim me Prokurorinë i trajton me një seriozitet të madh”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës për portalin rtv21.tv.
Ndërkaq, gjatë periudhës janar-gusht të vitit 2021 Policia ka konfiskuar 834 armë të llojeve të ndryshme dhe 20 mijë e 525 copë fishekë të kalibrave të ndryshme.
Policia e Kosovës ka deklaruar se në vazhdimësi kanë ndërmarr veprime konkrete për parandalim qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të çojnë te kryerja e akteve të tilla.
“Në aspektin e parandalimit përveç Policisë duhet luajtur rolin e tyre edhe akterët tjerë të cilët kanë obligime institucionale dhe shoqërorë në funksion të vedijësimit apo senzibilizimit të shoqërisë lidhur me pasojat që mund të vijnë nga veprimet e kundërligjshme në përgjithësi”, thuhet tutje në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme, për portalin rtv21.tv kanë thënë se përmes fushatave kanë ndikuar që armët ilegale të legalizohen. Në periudhën e legalizimit nga 17 dhjetori 2018 deri 17 shtator 2019 janë paraqitur afro 2000 kërkesa për legalizim të armëve.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë rreth 16 kompani të cilat merren me trajnimin për përdorim të sigurt të armës.
Armët ndahen në kategoritë A, B, C dhe D varësisht prej karakteristikave të tytave, gjatësisë së armës, mekanizmit qitës etj.
Kostoja totale për legalizim, përfshirë kontrollet shëndetësore, vërtetimet, trajnimin dhe lejen, sipas MPB-së, varion nga 150 deri 250 euro për pistoletë, ndërsa 80 deri 120 euro varion çmimi i trajnimit për armët e gjata për gjueti.
MPB duke thënë se është dukuri shqetësuese mbajtja dhe përdorimi i armëve në mënyrë ilegale, theksoi se po planifiojnë që sa më shpejt që është e mundur të shpallen fushatat e legalizimit dhe dorëzimit të armëve.
“Normalisht se është dukuri shqetësuese mbajtja dhe përdorimi i armëve në mënyrë ilegale. MPB ka realizuar një periudhë të legalizimit të armëve (ku janë dorëzuar 2000 kërkesa) dhe ka në plan sa më shpejt që është e mundur të shpall fushatat e legalizimit dhe dorëzimit të armëve varësisht nga sipas ecurisë të hartimit të politikave”, ka thënë MPB për portalin rtv21.tv.
Gjithashtu Policia e Kosovës konfiskon çdo vit rreth 1500 arme ilegale. Përveç Policisë, sipas MPB-së kontribut në zvogëlimin e armëve ilegale ka dhënë edhe shkatërrimi i armëve i cili bëhet çdo vit.
Gjatë vitit 2020 janë konfiskuar 1 mijë e 135 armë të llojeve të ndryshme dhe 32 mijë e 747 copë fishekë të kalibrave të ndryshme. Po ashtu, gjatë vitit 2019 janë konfiskuar 1 mijë e 439 armë të llojeve të ndryshme dhe 30 mijë e 438 copë fishekë të kalibrave të ndryshme./21Media

Back to top button