Latifi dhe Ambasadori i Italisë bisedojnë për mbështetje në lëmin e kardiokirurgjisë
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, sot u takua me Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, të cilin e njoftoi me situatën në Kosovë sa i përket COVID-19 dhe hapat që kanë ndërmarrë MSh-ja dhe institucionet për t’u ballafaquar me secilin skenar të mundshëm të ecurisë së COVID-19, duke përcjellë dhe analizuar më vëmendje indikatorët shëndetësor.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin midis Kosovës e Italisë në kuadër të projektit italian për mbështetjen e sistemit shëndetësor të Kosovës, me fokus në lëmin e kardiokirurgjisë.
Ministri Latifi dhe ambasadori italian theksuan nevojën që në kuadër të projektit profesionistët shëndetësor të Kosovës të rrisin aftësimet profesionale me mbështetjen e ekspertëve të italian të kësaj lëmie, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më gjithëpërfshirëse të kësaj fushe edhe në Kosovë.
Po ashtu, ministri dhe ambasadori theksuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë në shëndetësi dhe përkrahjen për sektorin shëndetësor të Kosovës./21Media