Mbi 400 raste të dhunës dhe incidenteve nëpër shkollat e Kosovës

Një armë me tre fishekë u gjetë në çantën e një nxënësi të gjimnazit “Hamdi Berisha” dje në Malishevë. Raste të tilla nuk janë të rralla në Kosovë. Vetëm gjatë vitit të kaluar kanë ndodhur 413 incidente të ndryshme në shkollat e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar portalin rtv21.tv Policia e Kosovës.
“Nga 01.01. 2021 e deri me 31.12.2021 jane raportuar gjithsej 413 incidente të ndryshme në shkolla në nivel vendi”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Ndërkohë, Policia ka theksuar se në fillim të çdo viti shkollor harton dhe aktivizon Plane Operative me qëllim të parandalimit të dukurive negative në shkolla dhe ngritjes së nivelit të sigurisë.
“Po ashtu edhe nga Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë në vazhdimësi realizohen projekte të ndryshme sensibilizuese dhe parandaluese në shkolla”, ka theksuar Policia e Kosovës në një përgjigje për rtv21.tv.
Megjithëkëtë, psikologët në vend thonë janë një mori faktorësh që i shtyen fëmijët drejt sjelljeve të dhunshme/agresive në shkollë.
Specialisti i Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë, Imri Zabeli për portalin rtv21.tv ka thënë se këto sjellje mund të jenë të ndikuara nga klima brenda familjes.
“Imitimi i sjelljeve të dhunshme në familje, imitimi i lojrave dhe viedove tjera të dhunshme që ndjekin fëmijet. Frustrimet e ndryshme që vien nga raportet negative ndërmjet bashkëmoshatarëve në shkollë, ekspozimi përball ngacmimrve dhe sjelljeve bullizuese, nevoja për dominim dhe kontrolle”, ka thënë Zabeli për rtv21.tv.
Për parandalimin e kësaj dukurie, specialisti i Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë, Imri Zabeli ka thënë se duhet koordinim ndërmjet mësimdhënësve, psikologut të shkollës dhe prindërve.
“Evidentimi i hershëm i sjelljeve agresive tek fëmijët, identifikimi i faktorëve që nxisin këto sjellje dhe trajtimi profesional i fëmijëve/familjes, bashkëmoshatarëve për fikjen e sjelljeve të dhunshme. Kjo bëhet përmes një koordinimi ndërmjet mësimdhënëseve, psikologut të shkollës, prinderve”, ka thënë ai.
Në anën tjetër zyrtarë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), për portalin rtv21.tv kanë thënë se vazhdimisht organizojnë aktivitete edukativo-shëndetësore si ligjërata interaktive për dukuritë negative.
“Çdo vit në shkollat e Kosovës në bashkëpunimi me Policinë e Kosovës mbahen ligjërata për parandalim të dukurive negative në shkolla. Gjatë realizimit të aktiviteteve shpërndahen materiale vetëdijesuese si fletëpalosje, broshura edhe materiale tjera si pako e udhëzuesve për edukim. Ne bashkëpunojmë ngushtë me partnerë qeveritarë dhe joqeveritarë sepse edhe vetë trajtimi i fenomenit kërkon qasje ndërsektoriale të veprimit. I kemi edhe agjencionet ndërkombëtare dhe partnerë joqeveritarë (si UNICEF, IOM, GIZ, OSBE, UNDP, Qendra për Arsim e Kosovës, PEN, ATRC etj, programet e të cilëve janë të bashkërenduara me MASHTI dhe puna jonë e përbashkët në terren është mjaft e dobishme”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-it.
MASHTI tutje ka thënë se në vazhdimësi i ka adresuar edhe tema të tjera të ndjeshme si: Mbrojtja e fëmijëve në internet, parandalimi i trafikimit me njerëz, paradalimi i dhunës me bazë gjinore, parandalimin e dhunës në familje, etj./21Media

Back to top button