Biden paralajmëron se shumë shpejt Rusia mund të pushtojë Ukrainën

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka paralajmëruar se ekziston një “mundësi e veçantë” që Rusia mund të pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm, kështu thotë Shtëpia e Bardhë.
Rusia ndërkohë thotë se sheh “pak terren për optimizëm” në zgjidhjen e krizës, pasi SHBA hodhi poshtë kërkesat kryesore të Rusisë.
Grumbullimi i dhjetëra mijëra trupave ruse në kufijtë e Ukrainës në javët e fundit ka ngjallur frikën e një pushtimi.
Rusia mohon se po planifikon një sulm.
Megjithatë, presidenti amerikan i bëri komentet në një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të enjten, transmeton rtv21.tv.
“Presidenti Biden tha se ekziston një mundësi e qartë që rusët mund të pushtojnë Ukrainën në shkurt”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Emily Horne.
“Këtë e ka thënë publikisht dhe për këtë kemi paralajmëruar me muaj të tërë”, shtoi ajo.
Gjatë bisedës së tyre, Biden “ripohoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara së bashku me aleatët dhe partnerët e saj për t’u përgjigjur me vendosmëri nëse Rusia pushton më tej Ukrainën”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
Zelensky tha se ata “diskutuan përpjekjet e fundit diplomatike për de-përshkallëzimin dhe ranë dakord për veprime të përbashkëta për të ardhmen”.
Një tjetër telefonatë e rëndësishme do të bëhet të premten, kur presidenti francez, Emmanuel Macron do të flasë drejtpërdrejt me Vladimir Putinin e Rusisë.
Nëse Rusia do të pushtonte Ukrainën, nuk do të ishte hera e parë. Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës në vitin 2014 . Ajo po mbështet gjithashtu rebelët që pushtuan zona të mëdha të rajonit lindor të Donbasit menjëherë më pas dhe rreth 14,000 njerëz kanë vdekur në luftimet atje./21Media

Back to top button