Si të dallohet nga prindërit një fëmijë me autizëm
Për të dalluar fëmijën nëse është me autizëm apo jo, prindërit duhet të fokusohen në 4 fusha. Kështu ka thënë psikologu klinik dhe psikoterapisti, Enver Çesko në programin e mëngjesit “Për ditë të mbarë” në RTV21.
E para është, si janë sjelljet e fëmijës: në rast se fëmijën e thirr në emër, i bën një kërkesë apo edhe një urdhër, mund të mos reagojë, por kjo jo çdo herë duhet të kanosë ndjenjë frike, fëmija mund të jetë i fokusuar në lojërat që ka para vetes, gjithsesi, kjo situatë duhet të përcjellet në vazhdimësi.
Elementi dytë: ka të bëjë me komunikimin dhe artikulimin e fjalëve, nëse fëmija në fjalët e para vonon apo nuk përgjigjet, nësë një fëmijë i moshës 2 vjet e gjysëm nuk është në gjendje të artikulojë të paktën dy rrokje, ka vend për shqetësim, preferohet një konsultë mjekësore.
Elementi i tretë: Duhet parë nëse fëmija po tregon apo jo interesim për bashkëpunim me fëmijët e tjerë. Shembull, gjatë kohës sa luajnë, nëse është i interesuar të ndajë lodrat e tij apo jo.
Elementi i katërt: Empatia – ndjeshmëria: shihni fëmijën nëse reagon kur një familjar bën si i mërzitur apo i lënduar. Duhet shikuar nëse fëmija ka ndjeshmëri për situatën, a e shpreh ndjenjën që ka.
Nëse ka ngecje në këto të lartcekurat, atëherë sipas psikologut preferohet një konsultë me ekspertët e kësaj çështje.
Po ashtu, nuk preferohet asnjëherë të bëhet krahasim mes fëmijëve me autizëm dhe fëmijëve të tjerë./21Media