Tahiri: Këtë ngritje të çmimit të energjisë elektrike do ta ndalim
Në seancën e jashtëzakonshme lidhur me vendimin e ZRrE-së për çmimin e energjisë elektrike tri partitë opozitare po kërkojnë që ky vendim për rritje të çmimit të revokohet.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri u shpreh se nëse nuk reflekton Kuvendi i Kosovës atëherë të tri partitë këtë vendim të ZRrE-së do e dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Kërkesa jonë si grup parlamentar dhe si opozitë është shumë e thjeshtë: ky çmim duhet të revokohet. Këtë ngritje të çmimit të energjisë elektrike do ta ndalim, do t’i shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat e mundshëm. Sot jemi në Kuvend, nëse nuk ka reflektim do të vazhdojmë ashtu siç thënë nga PDK dhe LDK në apelim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa mosprezenca e Qeverisë, e kryeministrit, ministrave që nuk linin të zezë edhe justicka, nuk linin gurë pa hedh në neve ndërsa mungesa e tyre këtu tregon thjeshtë që ky vendim është ardhur me direktivën e Qeverisë, ka ardhur me direktiva të mirë sinkronizuar dhe koordinuar në dëm të qytetarëve”, tha ai.
Deputeti i AAK-së tha se ZRrE është kthyer në një instrument të Qeverisë.
“ZRrE që tashmë është kthyer në një instrument të Qeverisë është duke reflektuar saktë dhe drejt, direktivat dhe deklarimet e Qeverisë dhe shumicën parlamentare. Shihni tarifat që i ka vendosur dhe vendimet që i kanë dhënë dhe aty i gjeni”, ka thënë Tahiri.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike dje ka miratuar tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët, ndërsa vendimi nga sot ka hyrë në fuqi dhe vlen deri më 31 mars. Ata që konsumojnë mbi 800 kWh është tarifa e lartë prej 12.5 cent dhe tarifa e ulët 6.75 cent./21Media