Kastrati thotë se agresioni rus në Ukrainë mund të ndikojë në veri të vendit

Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati vlerëson se Qeveria e Kosovës ka reaguar me vonesë në lidhje me agresionin rus në Ukrainë e cila mund të reflektojë edhe në Kosovë.
Ish-komandanti ka thënë se kryeministri, Albin Kurti vetëm para disa ditësh ka mbledhur Këshillin e Sigurisë së Kosovës, e siç thotë ai kjo do të duhej të ndodhte më herët.
Ai shprehet se si situata e luftës në Ukraine nga Rusia, mund të ndikojë veçanërisht në veri të Kosovës.
”Unë mendoj që kanë reaguar me vonesë për arsye që deri para dy ditësh kryeministri e ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ne e dimë që mbi një muaj Rusia ka grumbulluar mbi 160 mijë ushtarë, pajisjet, armatimet rreth Ukrainës dhe është parë që më tepër se një muaj se Rusia dëshiron dhe ka për qëllim ta okupojë Ukrainën dhe është dashur që Qeveria e Republikës së Kosovës të mbledhë më herët Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe t’i analizojë situatën dhe të merr masat adekuate për të marrë të gjitha veprimet e nevojshme në rast se lidhet apo në rast që reflektohet ajo krizë dhe lufta që ka filluar atje dhe që reflekton në Kosovë që të ketë një plan paraprak, çka duhet të veprojë dhe i duhet të veprojë në lidhje me situatën”, ka thënë ai.
Kastrati bën thirrje që institucionet e Kosovës duhet të jenë në koordinim me KFOR-in, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me partnerët e saj strategjik.
Ish-komandanti i FSK-së foli edhe për situatën e krijuar në Ukrainë, e cila sipas tij, mund të ndikojë në veri të Kosovës duke ditur qëllimin territorial të Serbisë.
”(Situata e Ukrainës) Ka rrezik që mund të ndikojë posaçërisht në veri të Kosovës. Unë e kam thënë edhe më herët që Serbia ka qëllime territoriale ndaj Kosovës është shumë e interesuar që të ketë, të bllokojë veriun e Kosovës dhe për atë arsye mendoj që KFOR-i, Policia e Kosovës por edhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të duhet që të jenë shumë vigjilente, të koordinuara mirë dhe të bashkërenduara që të rendisin prezencën e tyre në veri rreth kufijve, të kontrollohet çdogjë, kush hyn dhe kush del dhe ta kenë situatën nën kontroll dhe të mos vjen deri aty që ne të befasohemi nga ndonjë veprim i ekstremistëve apo shërbimeve sekrete serbe apo ruse në veri të Kosovës”, potencon ai
Forcat e Sigurisë së Kosovës në ndonjë agresion me Serbinë, sipas Kastratit, nuk do të mundet t’ia dalë e vetme dhe për këtë arsye duhet të jenë në koordinim të përbashkët me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
Kastrati ka komentuar edhe deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku tha se ushtria e Kosovës do të jetë në NATO vetëm për gjashtë muaj, duke i quajtur ato deklarata qesharake./kp

Back to top button