Çmimi i vajit në Kosovë arrin në 3.49 euro, reagon opozita
Një litër vaj në Kosovë ka shkuar në 3.49 euro, vetëm një ditë pasi çmimi i tij ishte 2.29 euro.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të veprojë kundër ngritjes enorme të çmimeve të produkteve bazike ose të dorëhiqet.
“Vepro ose lësho rrugë Albin Kurti. A je në tokë të bukës o Albin Kurti. Kush është ka ta saboton shtetin?! A po sheh se matrapazët po ta godasin popullin. Një litër vaj brenda natës po të shtrenjtohet gati dyfish! A je edhe ti pjesë e këtij skenari, apo je shndërruar në “komisar për moral”! Zgjohu o Kryeministër e kryje detyrën që ta ka dhënë populli, ose lësho rrugë. A po e sheh se është ka soset durimi!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se ky është krim dhe se kjo po ndodh me lejen e Qeverisë.