Të enjten seancë për shënimin e përvjetorit të bombardimeve të NATO-s
Më 24 mars 2022, në orën 11:00, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë solemne, në shënim të 23-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe. Ndërkaq në orën 13:00, do të mbahet seancë e rregullt plenare.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Pas pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, Kuvendi pritet të debatojë për politikën e jashtme.
Tutje, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe atë për Pronën Publike, ndërsa në lexim të dytë Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile, si dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale.
Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e dy raporteve: raportit me rekomandime lidhur me mbikëqyrjen e Ligjit për Infrastrukturën Kritike, si dhe ato lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2020.
Do të votohet po ashtu për propozimin e GP të Listës Serbe për emërimin e anëtarit në Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe pritet të zgjidhen anëtarët e Komisionit për Ndihmë Shtetërore.
Pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seanca do të jetë themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kryesia, në mbledhjen e sotme, procedoi për mendim në qeveri Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116, si dhe atë për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve Medicinale.
Kryesia po ashtu vendosi që në bazë të rekomandimit të Komisionit Ad-hoc, të shpallet konkursi për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare.
Në këtë mbledhje, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj./21Media