Përhapen zjarret në Kosovë
Disa zona në disa rajone të Kosovës janë përfshirë nga zjarret gjatë së dielës.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës vetëm dje janë raportuar katër raste të zjarrëvenieve, në fshatin Obranqë të Podujevës, Rogoqicë të Kamenicës, Samadrexhë të Rahovecit dhe fshatin Bubël të Malishevës.
Në Obranqë të Podujevës një burrë ka raportuar se i janë djegur rreth 10 hektar pronë bari i thatë. Zjarrin e kanë shuar banorët e fshatit dhe sipas ankuesit një i dyshuar mashkull kosovar e ka ndezur zjarrin.
Rasti tjetër ka ndodhur në Rogoqicë të Kamenicës, ku është raportuar se është përfshirë nga zjarri një pjesë e malit prej rreth 5 hektarësh. Njësitë relevante policore dhe zjarrfikësit kanë dal në vendin e ngjarjes. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit.
Ndërsa në fshatin Samadrexhë, dyshohet se deri sa ka qenë duke punuar në arat e tij i dyshuari ka bërë ndezjen e një zjarri për t’i djegur disa mbeturina dhe për një moment zjarri është përhapur duke djegur rreth 50 ari fushë si dhe një vresht e pa punuar. Zjarrfikësit kanë arritur ta shuajnë zjarrin. Në konsultim me prokurorin kujdestar është inicuar rasti dhe procedohet në procedurë të rregullt.
Po ashtu në fshatin Bubël të Malishevës një person ka raportuar se është duke u djegur një pjesë e madhe e malit pronë publike. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse dhe zjarrfikësit për ta lokalizuar zjarrin. Rasti është duke u hetuar./21Media