Ukraina i ofron Rusisë shkëmbim të robërve rusë për ukrainasit e plagosur në Azovstal
Ukraina i ka ofruar Rusisë të lirojë të burgosurit rusë të luftës në këmbim të evakuimit të ushtarëve të plagosur ukrainas nga fabrika e rrethuar e çelikut, Azovstal në Mariupol, tha të mërkurën zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.
Në një postim në Facebook, Vereshchuk deklaroi se ende nuk ka marrëveshje dhe negociatat janë duke u zhvilluar në lidhje me propozimin.
“Për momentin, është e pamundur të ngrihet bllokada e Azovstal me mjete ushtarake. Mbrojtësit e Azovstal nuk duhet të dorëzohen robër. Është e denjë për respekt. Rusët nuk do të dëgjojnë për nxjerrjen. Ky është një realitet, por vjen nga rusët , nuk është çudi”, shkroi ajo.
Vereshchuk potencoi se qeveria po punon për opsione të ndryshme për të nxjerrë ushtarët ukrainas nga Azovstal, por se asnjë nga opsionet nuk është “ideale”.
“Ne nuk po kërkojmë një opsion ideal, por një opsion funksional”, shtoi Vereshchuk, shkruan CNN./21Media