Vuçiq: Kosova të enjten aplikon për anëtarësim në KE, do të caktojmë seancë të Këshillit të Sigurisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova të enjten do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Këto deklarata Vuçiq i bëri pas darkës joformale që ishte organizuar nga Borrell e në të cilin ishin liderët e Ballkanit Perëndimor.
Kosova në këtë darkë është përfaqësuar nga zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, pasi presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti gjenden në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vuçiq, deklaratat për aplikim të Kosovës në Këshill të Evropës, ka thënë se i mbështet në deklarimet e ministres Gërvalla.
“Situata është shumë komplekse për ne dhe nesër do të jetë edhe më e vështirë sepse zonja Gërvalla e ka konfirmuar se do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, citohet Vuçiq në mediat serbe.
Kreu i shtetit serb paralajmëroi se do të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të përgatitur një reagim politik nëse kjo ndodhë.
“Ne do të caktojmë një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në 36 orët e ardhshme dhe do të reagojmë politikisht. Nuk do të jetë aq e lehtë për ata që mendojnë se mund të na shantazhojnë dhe të na bëjnë presion”, vijoi Vuçiq.
Vuçiq në vazhdimësi ka kërcënuar Kosovën se nëse aplikon në Këshill të Evropës, atëherë do të ketë përgjigje serioze.
Kujtojmë që, Serbia tashmë nuk e ka aleatin e saj kryesor në këtë mekanizëm, Rusinë, e cila është përjashtuar.

Back to top button