Hysni Gucati në Kosovë, Gjykata Speciale flet për RTV21

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), Hysni Gucati ka ardhur sot nga Haga në Kosovë.
Gucati ndodhet në Kosovë, saktësisht në Spitalin e Mitrovicës, ku po qëndron babai i tij për shkak të një sëmundje.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Gjykata Speciale në Hagë.
“Trupi Gjykues, për arsye humanitare bindëse, ka udhëzuar Zyrën Administrative që  të menaxhojë vizitën nën arrest të z. Gucatit në Kosovë për t’u takuar me familjen e ngushtë. I akuzuari vijon të mbetet në paraburgim dhe mbajtje të Dhomës së Specializuar. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po i mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Speciales për rtv21.tv.
Portali rtv21.tv ka kontaktuar me Faton Klinakun nga OVL-UÇK, i cili ka theksuar se lidhur me këtë është informuar nga mediat.
Gucati u arrestua më 25 shtator të vitit 2020 prej kur edhe po qëndron në paraburgim në Hagë
Më 18 maj do të shpallet aktgjykimi në rastin ndaj Gucatit dhe Nasim Haradinajt./21Media

Back to top button