Paraburgim për të dyshuarin që keqpërdori kartelat bankare
Gjykata Themelore në Prishtinë – dega në Podujevë, Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.S, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Lëshimi i çeçeve pa mbulesë ose të rremë” dhe “Keqpërdorimi i karteleve të bankës apo të kreditit”.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.S. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.
Ndryshe, A.S dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme, duke keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, kishte vjedhur të dhënat e kartelave bankare të klientëve të cilët kanë bërë blerje në dyqanin ku i dyshuari ka punuar si menaxher.
Këto të dhëna i njëjti i kishte përdorur duke bërë blerje të kriptovalutave në një platformë online të kriptovalutave./21Media