Koreja e Veriut lëshoi raketa disa orë pasi Biden u largua nga Azia
Koreja e Veriut ka lëshuar tri raketa balistike herët në mëngjesin e së mërkurës, informoi ushtria e Koresë së Jugut.
Autoritetet në Seul thanë se raketat u hodhën në hapësirën prej më pak se një ore nga zona Sunan në Phenian.
Kjo erdhi vetëm një ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden u largua nga rajoni.
Japonia konfirmoi se të paktën dy lëshime ndodhën të mërkurën, por pranoi se mund të ketë pasur më shumë.
Ministri japonez i Mbrojtjes, Nobuo Kishi tha se raketa e parë fluturoi rreth 300 km (186 milje) me një lartësi maksimale prej rreth 550 km, ndërsa e dyta, duke arritur deri në 50 km, udhëtoi rreth 750 km.
Kishi kritikoi lëshimet dhe tha se ato ishin “të papranueshme”, duke shtuar se do të “kërcënonte paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Japonisë dhe komunitetit ndërkombëtar”, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv
Në një takim të thirrur pas lëshimit të raketës, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Koresë së Jugut e quajti testin një “provokim të rëndë”, tha zyra presidenciale.
Nisjet erdhën disa orë pasi presidenti amerikan, Joe Biden u nis për në SHBA të martën në mbrëmje, pas një udhëtimi pesë-ditor në Korenë e Jugut dhe Japoni.
Zyrtarët e ShBA-së dhe Koresë së Jugut kishin paralajmëruar më herët se Koreja e Veriut dukej gati për një tjetër provë armësh, ndoshta gjatë vizitës së Biden.
Gjatë vizitës së tij në Seul gjatë fundjavës, Biden dhe homologu i tij koreano-jugor, Yoon Suk-yeol ranë dakord të zhvillojnë stërvitje më të mëdha ushtarake dhe të vendosin më shumë asete strategjike të SHBA-së nëse është e nevojshme për të penguar intensifikimin e testeve të armëve të Koresë së Veriut.
Biden kishte thënë se Shtetet e Bashkuara ishin “të përgatitura për çdo gjë që bën Koreja e Veriut”./21Media