Deklarohet policia: Nuk e hodhëm ne gazin lotsjellës ndaj protestuesve
Policia e Kosovës ka deklaruar se nuk e ka hedhur gazin lotsjellës në protestën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po mbahet para Kuvendit të Republikës së Kosovës
Protesta që po mbahet nga veteranët e UÇK-së për të shprehur pakënaqësitë e tyre, nuk ishte e lajmruar në polici.
Sipas detyrës zyrtare, Policia e Kosovës është kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit dhe për objektet zyrtare.
Përderisa protesta ishte duke u mbajtur, disa nga protestuesit kanë tentuar me forcë të depërtojnë ti dëmtojnë dyert e Parlamentit për të hyrë brenda si dhe kanë hedhur mjete të ndryshme të forta, lloje të gazit/tymit në drejtim të zyrtarëve të PK-së.
“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, informon dhe njëherit demanton shkrimet e publikuara në portale ku thuhet se kinse Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, se në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës. Bazuar në informacionet e deritanishme, si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor. Po ashtu sipas informacioneve të deritanishme një qytetarë ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasoj e gazit/tymit të hedhur”, thuhet në komunikatën e Policisë./21Media