“16 të dënuar në qeli prej 16m2”, Zyberi: Kushtet në burgje janë degraduese dhe johumane

1 m2 është hapësira me të cilën disponojnë në qeli të dënuarit në burgun e Idrizovës. 16 të burgosur janë të vendosur me një qeli prej 16 m2, tregon Avokati i Popullit, Naser Zyberi. Shumica e burgjeve në Maqedoninë e Veriut janë të mbipopulluara, mungon higjiena, janë të mbushura me insekte të ndryshme dhe nuk disponojnë as me kushte elementare, siç është uji i ngrohtë. Në burgun e Shutkës gjithashtu ka mungesë shtretërish dhe kushtet në disa hapësira janë nën çdo standard, me çka trajtimi është jo human, konstaton Avokati i Popullit. Kjo sipas Zyberit, rezulton me tensione në mes të burgosurve.
“Gjatë kontrollit është konstatuar se në disa hapësira prej me 16m2, vendosen 16 persona, respektivisht në 8 krevate janë gjetur 16 persona, ndërsa në hapësirë tjetër me 19m2 janë vendosur 12 persona. Në pjesën më të madhe të hapësirave kushtet janë nën çdo nivel. Kemi hasur raste kur personat janë shtrirë nëpër dysheme, nëpër korridore, krevete të improvizuara, madje në trek ate, higjiena është jashtzakonisht e ulët”, tha ai.
I pyetur për të dënuarit për rastin “Lagja e Trimave” Zyberi tha se Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve e ka pranuar kërkesën e tyre për transferim në burgun e Idrizovës.
“Rekomandimi jonë i fundit që ishte është pranuar nga drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve, që këta persona do të duhet të trajtohen njëjtë si të gjithë të burgosurit e tjerë, por rekomandimi im fillestar ka qenë që ata të barten të zhvendosen nga burgu i Shkupit në burgun e Idrizovës, sepse në burgun e Shutkës edhe po të duan që t’i shfrytëzojnë ato beneficione, nuk ekziston rregullativë dhe kushte praktike”, pohoi Naser Zyberi, Avokat i Popullit.
Avokati i Popullit, Naser Zyberi duke paraqitur raportin për vitin e kaluar tha se nga kontrollet që kanë kryer është konstatuar se mbipopullim me të burgosur ka në burgun e Idrizovës, Shtipit, burgun e Shkupit, Tetovës, Strumicës dhe Manastir. Zyberi tha se në burgun e Shutkës dhe në Idrizovë është konstatuar përdorimi i rripave të lëkurës si prangave. Me këtë rast deklaroi se autoritetet relevante janë joserioze dhe nuk i përgjigjen këtyre ankesave./TV21

Show More
Back to top button