Kërkesa për rritjen e numrit të infermierëve, flasin nga Ministria e Shëndetësisë për RTV21
Ditëve të fundit është vërejtur rritje e rasteve të reja me Covid-19, e kjo ka bërë që sektori i shëndetësisë të mobilizohet për të përballuar edhe një valë të re të mundshme të pandemisë.
Sot drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi pas takimit që pati me drejtorët e Spitaleve të Përgjithshme tha se do të kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë rritjen e numrit të inferimierëve.
E lidhur me këtë, nga Ministria e Shëndetësisë për portalin rtv21.tv thonë se janë në angazhim me institucionet e tjera për të mundësuar rritjen e kapaciteteve me resurse humane për institucionet shendetesore.
“Nëse arrrihet kjo, sigurisht që institucionet do të kenë mundësi të angazhojnë staf shtesë për të përballuar rritjen eventuale të fluksit të pacienteve me COVID-19, por edhe për shërbime të tjera.”, thonë nga kjo ministri.
Përveç rritjes së rasteve ditëve të fundit janë raportuar edhe vdekje nga Covid-19, sot është raportuar një rast i vdekjes dhe 763 raste pozitive.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike vazhdimisht po bën thirrje për respektimin e masave, si bartjen e maskave në ambiente të mbyllura dhe vaksinimin.
Në Kosovë javën e kaluar është aprovuar edhe doza e katërt e vaksinës kundër Cvoid-19 për moshat mbi 60 vjeç./21Media