Për dy ditë shtatë gra viktima të dhunës në familje
Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në polici brenda dy ditësh në Kosovë. Shtatë gra ishin viktima të dhunës gjatë kësaj periudhe.
Në Prishtinë, dje një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj, pas një mosmarrëveshje verbale. Sipas raportit 24-orësh të policisë i dyshuari u arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
Edhe në Fushë Kosovë, një i dyshuar u arrestua pasi dyshohet se e ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij të hënën.
Po ashtu edhe në qytetin e Prizrenit, ndodhi një rast i dhunës në familje, një grua ka raportuar se për dy ditë me radhë (28-29 gusht) është rrahur nga i dyshuari me të cilin bashkëjeton.
Ndërsa, të dielën në Gjakovë një burrë e ka rrahur bashkëshorten dhe vajzën e tij, derisa ishte në gjendje të dehur, i dyshuar është dërguar në mbajtje.
Kurse, në Vushtrri, një person dyshohet se dje e ka rrahur bashkëshorten dhe motrën e saj, raportohet se i dyshuari është liruar pas arrestimit./21Media