Përmbytjet në Pakistan, 1 mijë e 282 të vdekur, një e treta e tyre fëmijë

Agjencitë humanitare kanë paralajmëruar se Pakistani ka nevojë për ndihmë afatgjatë pasi numri i të vdekurve nga përmbytjet vazhdon të rritet. Numri i vdekjeve që nga 14 qershori është rritur në 1,282 të shtunën, ka raportuar Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive të vendit dhe pothuajse një e treta e viktimave janë fëmijë. Vetëm të shtunën ka pasur edhe 57 vdekje të tjera, 25 prej tyre fëmijë.
Agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar se problemet e vendit nuk kanë mbaruar dhe se derisa fatkeqësia vazhdon fëmijët do të jenë ndër më të rrezikuarit.
Përmbytjet janë rezultat i një kombinimi të shirave rekord të musonit dhe shkrirjes së akullnajave në malet veriore të Pakistanit — është përshkruar si më e keqja që vendi ka parë ndonjëherë.
Në një moment, më shumë se një e treta e vendit ishte nën ujë, sipas imazheve satelitore nga Agjencia Evropiane e Hapësirës ​​dhe qeveria e organizatat e ndihmës kanë thënë se 33 milionë njerëz janë prekur nga përmbytjet. Midis tyre, më shumë se tre milionë fëmijë kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare për shkak të rrezikut të sëmundjeve që vijnë nga uji dhe kequshqyerja, sipas UNICEF. Përmbytjet kanë dëmtuar ose shkatërruar gjithashtu 17,566 shkolla në mbarë vendin, ka deklaruar UNICEF, duke rrezikuar më tej arsimimin e fëmijëve pas dy vitesh mbyllje të lidhura me Covid-in.
Agjencitë e ndihmës kanë bërë të ditur se edhe nëse përmbytjet tërhiqen, vendi do të përballet me një rrugë të gjatë drejt rimëkëmbjes.
“Të mbijetuarit duhet të fillojnë nga e para”, ka thënë Aurelie Godet, një zëdhënëse e Medecins du Monde, një organizatë e ndihmës humanitare që ka punuar në Pakistan që nga viti 1966.
“Kjo nuk do të përfundojë për dy muaj, ata kanë nevojë për ndihmë afatgjate.”
Dy provincat më të prekura janë Balochistan dhe Sindh, në Pakistanin jugor, ku infrastruktura dhe sistemet e ujit janë dëmtuar.
Duke bërë thirrje për ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif ka vlerësuar javën e kaluar se fatkeqësia kishte shkaktuar më shumë se 10 miliardë dollarë dëme në infrastrukturë, shtëpi dhe ferma, shkruan CNN
Është ngritur një Qendër Kombëtare e Reagimit dhe Koordinimit ndaj Përmbytjeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë 10 milionë dollarë për të trajtuar të lënduarit, për të ofruar furnizime në objektet shëndetësore dhe për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve infektive. Kina dhe Britania e Madhe gjithashtu kanë premtuar miliona ndihmë për vendin.
Më shumë se 1 milion shtëpi janë dëmtuar ose shkatërruar, ndërsa të paktën 5000 kilometra rrugë janë dëmtuar, sipas autoritetit të menaxhimit të fatkeqësive./21Media
|m1\-w|m3ga|m5

Show More
Back to top button