Tahiri: Qeveria po i ikë komunikimit me sindikalistë
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke i ikur komunikimit me sindikalistët, madje siç ka shkruar ai, ajo ka zgjedhur t’i lë fëmijët jashtë shkollave.
Sipas tij, humbjet e mësimit po i pësojnë fëmijët të cilët që një javë, nuk janë në banka shkollore.
“T’i injorosh kërkesat legjitime të cilitdo grup shoqëror, në këtë rast të sindikalistëve të arsimit, duhet të jesh indiferent, përjashtues dhe arbitrar. Qeveria duke i ikur komunikimit, ka zgjedhur qëndrimin në izolim, të cilin po e pësojnë fëmijët tanë që një javë, në vend se të jenë në banka shkollore”, ka shkruar ai në Facebook.
Kryetarit i Këshillit grevist, Rrahman Jasharaj i tha RTV21 se greva mund të ndërpritet vetëm nëse Qeveria tregon vullnet për dialog social. Sipas tij, ka më shumë se një vit që sindikatat dërgojnë kërkesa për diskutim, por që kanë hasur në vesh të shurdhër./21Media