Zëvendës ambasadorja e ShBA-së: Jemi me fat për partneritetin me Kosovën
Zëvendës ambasadorja e SHBA-së, Alyson Grunder ka bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton” bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Grunder shprehu mirënjohjen e saj për Kosovën, për solidaritetin për këtë ceremoni në kujtim të 21 vjetorit të sulmeve në Kullat Binjake
“Dëshirojmë të falënderojmë presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe ministren e Jashtme që janë këtu për të nderuar viktimat. Në atë ditë të kobshme të 11 shtatorit të vitit 2001, unë kam qenë në Neë York duke shërbyer në misionin e Kombeve të Bashkuara, mund të paramendoni se çfarë tronditje ishte për të gjithë ne të cilët e pamë se si është e mundur që një qenie njerëzore të planifikonte sulme aq të urrejtshme, të cilat qëllimin e vetëm e kishin të merrnin sa më shumë jetë”, ka shtuar ajo.
Grunder tha se pas atyre ditëve “ne pamë dashuri, mbështetje e solidaritet, jo vetëm nga amerikanët, por edhe partnerët e aleatët, përfshirë Kosovën”.
“Në të njëjtën kohë, pas atyre ditëve ne e pamë të gjithë atë dashuri, mbështetje dhe solidaritet që u shpreh jo vetëm nga amerikanët, por edhe nga partnerët dhe aleatët nga i tërë globi, përfshirë edhe Kosovën. Jemi me fat që kemi një partneritet kaq të qëndrueshëm dhe të fortë me Kosovën”, tha ajo./21Media