Murati udhëheq Takimin e Konstituencës në Takimet Vjetore të Bankës Botërore
Në kuadër të Takimeve Vjetore të Grupit të Bankës Botërore që po mbahen gjatë kësaj jave në Uashington, Ministri Murati ka udhëhequr Takimin e Konstituencës, ku bën pjesë edhe Kosova.
Sipas njoftimit të Ministrisë, Takimi i Konstituencës së Bankës Botërore, mbledh përfaqësues nga Ministritë e Financave të Austrisë, Belgjikës, Turqisë, Bjellorusisë, Çekisë, Luksemburgut, Hungarisë, Sllovakisë, Sllovenisë, si dhe Kosovës.
“Në këtë takim përfaqësuesit gjithashtu u dakorduan lidhur me qëndrimin e përbashkët mbi financimin e politikave të qëndrueshme zhvillimore, si dhe krizën energjetike e ushqimore”, vazhdon njoftimi.
Ndërkaq, Ministri Murati gjatë fjalës së tij shprehu edhe interesin e Kosovës që të jetë nikoçire e takimit të radhës së Konstituencës, propozim i cili u mirëprit nga anëtarët e Konstituencës./21Media