Vendimi për targat trazon Serbinë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, ka thënë se është e domosdoshme që rregullat të respektohen në çdo shtet, duke iu përgjigjur kështu vendimit të Qeverisë për çështjen e targave. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë për qasje kërcënuese me masa antiligjore duke iu përgjigjur paralajmërimeve të Listës Serbe se do t’i bllokojnë rrugët në veri. Ndërsa, kryeministri Kurti, sërish u ka bërë thirrje qytetarëve serb që t’i konvertojnë targat në RKS.
Kur kanë mbetur edhe katër ditë kur Qeveria e Kosovës do të fillojë të zbatojë vendimin për targat, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, në kuadër së saj në Prishtinë tha se rregullat duhet të respektohen në çdo shtet.
“Shumë shkurt. Unë mendoj që është shumë e domosdoshme që rregullat të respektohen në çdo shtet. Në të njëjtën kohë nëse ka periudhë tranzitore, tranzicioni duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duhet të shkoj siç duhet. E di që ka një përpjekje për të gjetur një zgjidhje në dialog dhe gjithashtu ju uroj për përpjekjet dhe për të gjitha gjërat që po bëhen në kuadër të dialogut”, tha Ursula Von Der Leyen.
Deklarata e von der Leyen u bë në kohën kur janë shtuar thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare që Qeveria e Kosovës të shtyjë zbatimin e vendimit për targat edhe për dhjetë muaj të tjerë.
Por Kryeministri Kurti përçoi përsëri porosinë se vendimi i Qeverisë për targat do të zbatohet saktësisht në ditën e përcaktuar më 31 tetor. Ai iu bëri thirrje qytetarëve serbë që ta shfrytëzojnë këtë kohë për të riregjistruar automjetet në RKS.
Por presidentja, Vjosa Osmani, u shpreh kritike ndaj Serbisë duke vlerësuar se strukturat paralele serbe po i zbatojnë urdhrat e Beogradit zyrtar për kërcënimin e serbëve të Kosovës.
Ndërkohë, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë përfunduar të enjten në mëngjes takimin e tyre urgjent me Presidentin serb Vuçiç, Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar se do të bllokohen të gjitha rrugët në veri të vendit nëse Qeveria zbaton vendimin.
“Ajo që është me rëndësi për ju dhe të gjithë ne që jetojmë atje poshtë, është se presidentit Vuçiq i kemi thënë qartë dhe kemi kërkuar prej tij se nëse FSK, njësitë speciale, policia, apo kushdo qoftë tjetër, e përsërisë, kushdo qoftë tjetër, niset për të marrë pronën tonë, dhe pronë e jona janë edhe targat, që ishin tema e sotshme, dhe veturat, do të përdorim të gjitha mjetet, dhe me mjete demokratike paqësore do të rezistojmë, dhe do të jetë kjo rezistencë e popullit”, tha Rakiq.
Por paralajmërimit të Listës Serbe iu përgjigj presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Gjatë ditës së mërkurë një makinë e një qytetari të komuitetit serb në veri të Kosovës u dogj në Leposaviq, pak kohë pas konvertimit në targat e RKS./21Media