Historia e binjakeve që flisnin vetëm me njëra-tjetrën, bëhet film

Historia e binjakeve që për vite me radhë nuk flisnin me askënd përveç njëra-tjetres, është sjellë në jetë si film.
June dhe Jennifer Gibbons kanë lindur në prill 1963 dhe janë rritur në Haverfordwest, Pembrokeshire.
Ato u dërguan në Spitalin Broadmoor, një spital i shëndetit mendor me siguri të lartë, kur ishin 19 vjeç, përpara se Jennifer të vdiste në moshën 30-vjeçare.
Marjorie Wallace, producentja ekzekutive e filmit, i përshkroi ato si shkrimtare të shkëlqyera me një sens të madh humori.
Për vite me radhë, ato folën vetëm me njëra-tjetrën dhe, si adoleshente, kryen një sërë krimesh, duke përfshirë vandalizëm, vjedhje të vogla dhe zjarrvënie, duke rezultuar në institucionalizimin e tyre për një kohë të pacaktuar.
Ato kaluan 11 vjet në Broadmoor.
Wallace, një gazetare investigative dhe themeluese e organizatës bamirëse të shëndetit mendor SANE, kaloi shumë kohë me motrat gjatë viteve dhe ende ruan një marrëdhënie të ngushtë me June.
Në vitin 1993, motrat do të transferoheshin në një vend tjetër, por Jennifer vdiq.
Megjithëse shkaku i saj i vdekjes nuk është bërë kurrë zyrtarisht i ditur, Wallace tha se ajo dhe June besonin se Jennifer “sakrifikoi veten në mënyrë që June të çlirohej vërtet”.
Wallace është producentja ekzekutive e filmit të ri, “The Silent Twins”, i cili bazohet në librin e saj me të njëjtin emër, botuar fillimisht në 1986.
“Unë kurrë nuk e kam lënë historinë, sepse takova June dhe Jenniferin kur ato ishin 18 vjeçe dhe kam mbetur me to që atëherë. Në një farë mënyre, historia e tyre ka qenë historia ime”, ka thënë ajo./21Media

Back to top button