Veriu vazhdon të jetë i bllokuar, 10 ditë nga vendosja e barrikadave

Tash e 10 ditët pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar me vendosjen e barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.
Përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve për largimin e barikadave ato vazhdojnë të qëndrojnë ende.
Heqja e tyre po kërkohet të bëhet nga ata që i kanë vendosur.
Javën e kaluar Serbia i ka bërë kërkesë NATO-s lidhur me dislokimin e deri një mijë trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Lidhur me këtë kërkesë nga KFOR kanë thënë se aktualisht po e shqyrtojnë këtë kërkesë.
Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Kur jemi te java e kaluar theksojmë se dje disa qytetar kanë protestuar në pikën kufitare në Jarinje nga ana e Serbisë.
Një pjesë e qytetarëve janë parë të maskuar, ndërsa në duar kanë flamuj të Serbisë. Kurse, në anën kosovare të kufirit në Jarinjë, shihen pjesëtarë amerikanë të misionit të NATO-s, KFOR.
Pas tubimit të serbëve në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë, KFOR-i dje ka shtuar praninë ushtarake në veri.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet pas koordinimit me të gjitha palët, KFOR-i ka shtuar praninë e saj në Jarinjë për arsye të sigurisë.
Pas protestës të së dielës pranë kufirit në Jarinjë nga një grup të së djathtës ekstreme, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se qytetarët duhet të sigurohen që Policia e Kosovës ka kapacitete dhe është e aftë të përballet me strukturat kriminale./21Media