Deliu: S’ka vend për racizëm,Drenica ka nevojë për ndihmë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së Blerta Deliu ka bërë thirrje që të ndihmohet Drenica pas dëmeve që iu shkaktuan nga vërshimet.
Deliu fillimisht ka përmendur kontributin e Drenicës për Kosovën.
“Shoqëria jonë e di vlerën e jetës, përmes çmimit që ka paguar për një jetë në liri. Në Drenicë, si çdo kund në Kosovë, i gjen njerëzit e zakonshëm që i kanë qëndruar përballë këtij çmimi. Jo për vete. Jo kundër dikujt. Për Kosovën. Për të ardhmen.Nuk ka vend për racizëm lokal e kulturor. Nuk ka, e s’ka për të pasur kurrë dallim në mes njerëzve të Kosovës. Nuk ka e nuk do të ketë kurrë dallime, që janë më të mëdha sesa ajo çfarë e kemi të përbashkët: vetëdijen që na bashkon, të ardhmen që e duam dhe karakterin për ta parë njëri-tjetrin, si njerëz mbi të cilët mund të mbështetemi e që i mbështesim.“, ka shkruar Deliu.
Ajo po ashtu ka thënë se Drenica ka nevojë për ndihmë andaj ka ftuar gjithë Kosovën që t’i qëndrojë pranë.
„Të tillë kemi qenë e të tillë jemi si shoqëri. Asnjë gënjeshtër e hipokrizi snobe, nuk mund ta errësojë këtë të vërtetë. Ajo çfarë përfaqëson Drenica, është ajo çfarë e ka të mbjellur përbrenda secili qytetar i Kosovës.Është kohë për solidaritet e mbështetje. Sot, Drenica ka nevojë për ndihmë. Sot, e gjithë Kosova duhet të hapë zemrën për Drenicën. Të tillë jemi në të vërtetë. Le të bëhemi bashkë, që mbi këtë fatkeqësi që ka goditur njerëzit, ta shpalosim të vërtetën tonë si popull, kundër racizmit, dallimeve e gënjeshtrave që përpiqen t’i vënë në mesin tonë.Bashkë!“, ka përfunduar Deliu./21Media