Xhaçka përshëndet vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka mirëpritur hapin e radhës nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me liberalizmin e vizave për Kosovën.
Xhaçka ka thënë se shpreson që pas një vonese kaq të gjatë dhe të pajustifikuar, procesi të përmbyllet sa më shpejt dhe qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.
“I mirëpritur vendimi i Këshillit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE që i hap rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën. Le të shpresojmë që pas një vonese kaq të gjatë dhe të pajustifikuar, procesi të përmbyllet sa më shpejt dhe qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen”, ka shkruar Xhaçka në Facebook.
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian i ka dhënë dritën e gjelbër liberalizimit të vizave për Kosovën. Rregullat e reja i lejojnë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180-ditore. Kjo do të aplikohet sapo ETIAS të hyjë në fuqi nga 1 janari 2024. Rregullat tani duhet të adoptohen nga Parlamenti Evropian para se të nënshkruhet dhe publikohet në gazetën zyrtare të BE-së.“Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar sigurinë dhe menaxhimin me migrimin dhe të bashkërendojë politikën e vizave me atë të BE-së. Shpresojmë se bashkëpunimi jonë në këto fusha do të vazhdojë të jetë i dobishëm”, ka thënë ministrja për Migrim e Suedisë, Maria Malmer Stenergard./21Media

Back to top button