Hill pas takimit të Ohrit: Serbia ka përqafuar të ardhmen e saj evropiane

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher R. Hill, ka reaguar në lidhje me arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, dje në takimin 12 orësh në Ohër, i cili ishte i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe i dërguari special për dialogun Miroslav Lajçak.

Hill ka thënë se Serbia ka përqafuar të ardhmen e saj evropiane.

“Rezultati më i rëndësishëm nga bisedimet e Ohrit: Serbia ka përqafuar të ardhmen e saj evropiane dhe një plan të qartë se si të arrijë atje – një vendim që kërkonte mençuri, integritet dhe guxim. Mbetet shumë punë dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju në çdo hap të rrugës”, ka shkruar Hill sot në Twitter.

Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë./21Media

Back to top button