Hoti: Qeveria si në kohën e socializmit, ta thyen këmbën dhe ta jep shkopin për tu mbajtur

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka krahasuar menaxhimin e parasë publike nga Qeveria Kurti me kohën e socializmit, që sipas tij në atë sistem “qeveria ta thyente këmbën, e mandej ta jepte një shkop për tu mbajtur”.
Përmes një postimi në Facebook ka treguar edhe dy arsye kryesore pse një gjë e tillë përshruan kështu punën e Qeverisë.
“Ja pse: 1. Për bizneset: I bllokoi projektet kapitale, si rezultat ekonomisë i mungojnë 500 mil euro, e mandej i ndihmoi bizneset me ligjin për indeksim të kontratave për investime kapitale. Rriti faturat e energjisë për bizneseve, e mandej i subvencionoi bizneset për energji. 2. Për qytetarët: E shtrenjtoi dy herë energjinë, e në anën tjetër i subvencionoi për shpenzimet e energjisë. E dyfishoi tatimin në pronë, e mandej ua fali 100 euro”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Hoti ka thënë se kjo qasje e shpenzimeve publike është socialiste, sepse sipas tij, njerëzit po varfërohen dhe po bëhen të varur nga shteti. “Socializëm është kur 41% e buxhetit shpenzohet në subvencione dhe transfere, e vetëm 15% në investime”, ka shkruar Hoti./21Media