Osmani para PE-së: Kosova është Evropë dhe të jesh kosovar është të jesh evropianë

(Lajm i përditësuar)
Osmani – delegacionit nga Presheva: Po ju se them se do të qëndrojmë me ju, nuk jeni vetëm
Në pjesën e fundit të fjalimit Osmani përmendi se edhe një delegacion nga Presheva është i pranishëm.
Presidentja, para PE-së u tha atyre se Kosova do të qëndrojë me ta, përderisa Serbia [po bën shkelje të të drejtave të njeriut kundër tyre.
“Delegacionit nga Presheva po ju them se ne do të qëndrojmë me ju, ju nuk jeni vetëm, përderisa përballeni me shkelje të të drejtave të njeriut, ashtu siç e ka konstatuar PE-ja përmes një rezolute”, tha ajo.
Osmani i falënderon eurodeputetët për liberalizimin e vizave për Kosovën
Presidentja Vjosa Osmani i falënderoi eurodeputetët për mbështetjen që treguan për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Për vite, ky parlament ka bërë gjithçka për liberalizimin e viza, ju falënderoj që e bëtë të mundur. Me siguri se do të jeni të gëzuar që nuk do të lexoni më fjalët ‘viza’ dhe ‘Kosovë’ në të njëjtën fjali”, tha Osmani.
Falënderimi i Osmanit për mbylljen e procesit të liberalizimit të vizave vjen në një kohë kur raportohet se ndalimi i procesit të liberalizimit të vizave mund të jetë një nga ndëshkimet e BE-së ndaj Kosovës për situatën në veri. /21Media
Osmani: Njerëzit e Kosovës s’kanë pse t’i imagjinojnë vuajtjet e Ukrainës, ne i kemi kaluar vetë këto
Gjatë fjalimit në PE, Osmani foli për mbështetjen që Kosova ia ka treguar Ukrainës, pas agresionit nga Rusia.
Osmani tha se Kosova është vendi i parë në rajon që i ka vënë sanksione Rusisë.
“Sfidat që i kemi nuk kanë nevojë për debat dhe filozofi, përgjigja duhet të jetë e menjëhershme. Ne duhet të shkojmë një hap më shumë për të siguruar mbrojtjen e Ukrainës dhe paqen atje. Ky moment kërkon që liderët të bëhen së bashku, nuk do të jetë e lehtë, kërkon guxim dhe prioritet. Njerëzit e Kosovës s’kanë pse e imagjinojnë vuajtjet e Ukrainës, ne e kemi kaluar vetë këto. Nuk kemi pse imagjinojnë padrejtësitë pasi edhe ne i ndjejmë. Kur Kosova thotë ‘ne mbështetim Ukrainën’, nuk është se thjesht e themi, ne e ndjejmë. Kosova mund të jetë e vogël, por do të bëjmë gjithçka për të mbështetur miqtë tanë Ukrainës. Ishim vendi i parë në rajon që i vëmë sanksione Rusisë dhe kemi bërë gjithçka për ti ndihmuar. Jemi të gatshëm të bëjmë më shumë”, deklaroi e para e shtetit. /21Media
Osmani para PE-së: Kosova është Evropë dhe të jesh kosovar është të jesh evropianë
Osmani ka vazhduar fjalimin e saj para Parlamentit Evropianë duke i bërë thirrje eurodeputetëve që të qëndrojnë përkrah Kosovës. Ajo tha se integrimi euro-atlantik nuk është vetëm qëllimi i popullit kosovar, por se së shpejti do të bëhet realitet.
“Në këtë moment kritik, ju bëj thirrje të qëndroni pranë nesh, sepse vlerat që ky parlament i ka janë pjesë e historisë sonë. Njerëzit e Kosovës ecin në një anë me Evropën për qëllimet e paqes dhe demokracisë. Kosova është Evropë dhe të jesh kosovar është të jesh evropianë. Integrimi euro-atlantik nuk është vetëm qëllimi ynë, jam e sigurt se së shpejti do të bëhet realitet. Kur ne të gjithë qëndrojmë bashkë kundër tiranisë, diktaturës dhe gjenocidit, kemi demokraci, prosperitet, paqe dhe bashkëpunim. Aksionet që i bëjmë tani së bashku do të përcaktojnë të ardhmen tonë në shumë mënyra”, deklaroi Osmani.
“Jam e sigurt se në të ardhmen e afërt do të jemi anëtarë të këtij institucioni”. /21Media
Osmani ua prezanton PE-së Vasfije Krasniqin: Është zëri i mijëra të mbijetuarve nga dhuna seksuale
Presidentja Vjosa Osmani para europdeputetëve prezantoi Vasfije Kraniqin, duke treguar historinë e saj.
“Me vete kam delegacionin që reprezenton sfidat tona, Vasfije Kraniqi Goodman, ishte 16-vjeçe kur e morën nga krahët e nënës së saj për ta dërguar në një vend që do të bëhej dita më e zezë e jetës së saj. Asaj iu drejtua një armë dhe u përdhunua shumë herë. Ajo foli për drejtësi kundër stigmës dhe bashkoi shumë njerëz krah saj. Ajo jo vetëm që dedikoi jetën e saj për drejtësi, por sot ajo është zëri i mijëra të mbijetuarve nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë”, tha Osmani, njofton rtv21.tv.
Osmani po ashtu ka prezantuar Fahrije Hotin, duke thënë se edhe pse burri i saj u vra nga forcat serbe, ajo nuk u dorëzua, por u ngrit për të vazhduar me bizenesin e saj të suksesshëm. /21Media
Osmani: Kosova është pjesë integrale e Evropës, ka ardhur koha që të bëhen hapa domethënës në rrugën e saj drejt BE-së
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj në seancë plenare në Parlamentin Evropian, ka theksuar se përkundër mungesës së drejtësisë dhe vuajtjeve të mëdha ndër vite, Republika e Kosovës dhe populli i saj vazhdojnë të shikojnë nga e ardhmja evropiane.
“Ne ua kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjithë fqinjëve tanë dhe këtë e kemi bërë në masë të madhe sepse njerëzit tanë meritojnë një të ardhme më të ndritur, që do të thotë gjithashtu bashkëpunim më të fortë brenda rajonit tonë”, tha Presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani institucionet e Kosovës duan paqe dhe stabilitet.
“Paqe të qëndrueshme duke e pas drejtësinë në themel të saj, stabilitet duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial dhe me fokus në marrëdhënie të mira fqinjësore”, theksoi Presidentja Osmani para eurodeputetëve. Në këtë kontest, Presidentja Osmani tha se përparimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të shërbejë si një katalizator për paqen dhe pajtimin në një rajon ku forcat keqdashëse, historikisht, mbjellin përçarje. “Mungesa e integrimit të vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor në BE përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi e lë rajonin të pambrojtur nga kërcënimet dhe aktorët keqdashës. Integrimi i rajonit tonë nuk është vetëm i një rëndësie të madhe, por është edhe i një rëndësie strategjike”, deklaroi ajo.
Sipas Presidentes, Kosova është pjesë integrale e Evropës, ndaj ka ardhur koha që Kosova të bëjë hapa domethënës përpara në rrugën e saj drejt BE-së.
“Ne jemi këtu pranë jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje, sepse një Evropë e tërë, e lirë dhe në paqe është e mundur vetëm kur jemi të gjithë këtu, në këtë Parlament, si të barabartë, duke promovuar dhe mbrojtur Evropën kolektivisht”, është shprehur Presidentja Osmani. Vendi i Kosovës, sipas saj është në Evropë. “Vendi i merituar i Kosovës në familjen e BE-së jo vetëm që do ta pasurojë kombin tonë, por gjithashtu do të forcojë vetë themelet mbi të cilat u ndërtua Bashkimi Evropian dhe do të forcojë kontinentin tonë përmes unitetit gjithnjë e më të madh”, tha Osmani.
Osmani nga PE-ja – serbëve të Kosovës: Republika e Kosovës është shtëpia juaj
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë adresimit të saj në Parlamentin Evropian u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të përdorin të drejtat e tyre që i kanë.
“Republika e Kosovës është shtëpia juaj dhe do bëjmë gjithçka që të ndjeheni si në shtëpi dhe të jeni të përfshirë dhe të ju dëgjojmë”, tha ajo.
Osmani nis fjalimin me fjalët e Rugovës “Liri, Pavarësi, Demokraci”
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani fjalimin e saj në Parlamentin Evropian e nisi me fjalët e ish presidentit Ibrahim Rugova ““Liri, Pavarësi, Demokraci”.
Ajo tha se këto fjalë ishin vizioni i popullit të Kosovës që u bë realitet.
“Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë”, tha Osmani.
Osmani po ashtu kujtoi kohën kur Rugova mbajti fjalim në PE, pas fitimit të çmimir “Saharov”
“Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, tha Osmani.
Më tej ajo duke rikujtuar thënien e Rugvës “Shtepia nuk mbahet pa miq” ,kërkoi mbështetjen e PE-së për rrugën evropiane të Kosovës.
Osmani mbërrin për takimin me Metsolan
Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka pritur paraditen e sotme (e mërkurë) presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në pritje është intonuar edhe himni i Republikës së Kosovës dhe ai i Bashkimit Evropian.
Mediat janë lejuar të marrin pamje në pritje, ndërsa nuk është konfirmuar nëse do të ketë një adresim për media pas përfundimit të takimit.
Kujtojmë se presidentja Vjosa Osmani ka mbërritur në Strasburg të Francës të martën ndërsa rreth orës 13:30 do të ketë një adresim në Parlamentin Evropian.
Pjesë e delegacionit të Kosovës janë edhe Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale nga lufta e fundit, Fahrije Hoti, familjarët e te ciles janë vrarë në luftën e fundit, Blerta Basholli, producente, Egzon Syla ndër ushtarakët më të suksesshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Hana Qerimi ndërmarrëse, si dhe Liudmyla Makei, gazetare ukrainase që aktualisht ëahtë e strehuar dhe punon në Kosovë.
Vizita e Osmanit në Strasburg vjen në një kohë tensionesh në veri të Republikës së Kosovës dhe paralajmërimeve për një pako sanksionesh ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian.
Osmani do t’i adresohet Parlamentit Evropian
Presidentja Vjosa Osmani është duke qëndruar në Strasburg të Francës ku gjatë ditës së sotme do të ketë një adresim në Parlamentin Evropian, hera e parë që një president i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të PE-së.
Osmani do të pritet fillimisht nga kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian,
Pjesë e delegacionit të Kosovës janë edhe Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale nga lufta e fundit, Fahrije Hoti, që vuajtjen nga vrasja e burrit nga regjimi serb e kthehu në forcë dhe u shndërrua në frymëzim për të gjitha gratë me Koperativën “Krusha”, Blerta Basholli, producent, Egzon Syla ndër ushtarakët më të suksesshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Hana Qerimi, ndërmarrëse, si dhe Liudmyla Makei, gazetare ukrainase që aktualisht është e strehuar dhe punon në Kosovë.
Adresimi i presidentes Osmani para eurodeputetëve është planifikuar për në ora 11:30, ndërsa më pas do të ketë edhe një konferencë për media.
Osmani ka mbërritur në Strasburg gjatë së martës ku ka takuar sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviç Buriç.
Më pas ka pasur edhe një pritje për përfaqësuesit e përhershëm të Këshillit të Evropës, ku në këtë takim është diskutuar për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kjo vizitë e presidentes vjen në kohën kur në tri komunat e Republikës së Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan situata është e tensionuar pas protestave të dhunshme ku serbët të organizuar nga Lista Serbe, e dirigjuar nga Beogradi zyrtar, sulmuan Policinë e Kosovës dhe KFOR-in duke lënë të plagosur 6 policë dhe mbi 30 ushtarakë te misionit të NATO-s në Kosovë.
Gjithashtu, edhe pas paraqitjes së planit prej pesë pikash nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Bashkimi Evropian është në përgatitje të sanksioneve ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri, sidomos pas zhvillimeve të ditës së martë.