Statovci: Nuk ishte i pritshëm një pozicion i ndërmjetëm i Ramës, hapi i fundit nuk i shërben interesit të Kosovës

Jeta Statovci, deputete e Listës Guxo në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në emisionin “Click” të RTV21 ka thënë se nuk ka qenë e pritshme që Shqipëria të pozicionohet në mes, në raport të Kosovës dhe Serbisë.

“Në raport me Kosovën, mbështetja e Shqipërisë do të duhej të ishte e padiskutueshme dhe assesi nuk ka qenë e pritshme që Shqipëria të pozicionohet në mes, në raport të Kosovës dhe Serbisë. Padyshim edhe në draftet e kaluara të cilat ishin të prezantuara edhe avokimi jonë ka qenë që Serbia nuk mund të jetë pala neutrale e cila e ndërmjetëson, për arsye që raportet tona me Shqipërinë nuk janë raporte që i kemi me Austrinë, po janë shumë më të afërta dhe raporte vëllazërore”, ka thënë Statovci.

Tutje, Statovci ka thënë se nuk ishte i pritshëm një pozicion i ndërmjetëm i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, dhe se hapi i tij i fundit nuk i shërben interesit të Kosovës.

“Nuk besoj që zgjidhja që e prezantoi Rama përmes një drafti të Asociacionit ishte zgjidhja për çështje. Për shkak të afërsisë që e ka pasur me Vuçiq, ndoshta më e rrugës do të ishte që t’i kërkonte atij, të bënte thirrje për largimin e bandave kriminale, sesa të bënte thirrje për dërgimin e propozimeve për Asociacionin”, ka thënë Statovci.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencë për media, ka thënë se i ka propozuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, një takim në një format më të ngushtë, ku do të merrnin pjesë edhe ministrat e jashtëm dhe ata të brendshëm, porse Kurti ka refuzuar.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës ka reaguar duke thënë se është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëashme./21Media

Back to top button