Berisha për arrestimin e policëve: Akt terrorist i urdhëruar direkt nga Putini i vogël

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për arrestimin e tre zyrtarëve policorë nga policia serbe.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka deklaruar se e dënon këtë arrestim të policëve.
“Akt terrorist i urdhëruar direkt nga Putini i vogël. Ky është momenti kur grupi terrorist ushtarak serb rrëmben në territorin e Kosovës, në veri, tre policë shqiptarë që kryenin detyrën. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt terrorist, kriminal të falangave të Vuçiq dhe i bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë me forcën me të madhe këtë akt terrorist luftënxitës të ish-Millosheviqit të ri Aleksandër Vuçiq”, ka shkruar Berisha.
Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe në veri të vendit.
Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës./21Media