Thaçi dhe të tjerët, ZPS përfundoi intervistimin e dëshmitarit të nëntë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka përfunduar seanca në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në pjesën e dytë të kësaj seance Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përfunduar pyetjet për dëshmitarin e nëntë në gjykimin kundër katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pjesa më e madhe e këtyre pyetjeve u bënë në seancë të mbyllur për publikun ndërsa për disa minuta në seancë të hapur, ZPS kërkoi të dinte për gjendjen shëndetësore të dëshmitarit dhe pasojat shëndetësore të cilat ai pretendon se i ka pasojë e ndalimit.

Prokurori: A punon tash në këtë kohë?

Dëshmitari: Jo, jo nuk mundem prej unazave mi kanë prishur

Prokurori: Thatë që e ke përjetuar dëmtime afatgjate, këto dëmtimet a të janë shkaktuar gjatë kohës që ke qenë i arrestuar apo ndonjë herë tjetër?

Dëshmitari: Njëherë sa kam qenë i arrestuar, pastaj kam shkua atje kam përdorë hapa pas luftës kam shkuar nëpër mjekë kam marr gjilpëra, dy operacione i kam kryer pas luftës.

Prokurori: Kanë kaluar më shumë se 20 vite prej ngjarjes që na e shpjeguar në seancë private a mundesh me na përshkrua si ndihesh sot nga aspekti mendor pas asaj që ka ndodhur?

Dëshmitari: Nuk mund të bëjë gjumë kur më kujtohen ato çka i kam përjetuar aty dhe çka më kanë bërë kam dhimbje çdo 10 ditë shkoj marr gjilpëra për kurriz prej unazave.

Me këto pyetje ka përfunduar intervistimi i dëshmitarit të nëntë nga ana e ZPS-së.

Ndërsa mbrojtësi i viktimave, Simon Laws në seancë të mbyllur për publikun ka parashtruar disa pyetje për dëshmitarin.

Gjatë ditës së sotme, në Gjykatën Speciale e ka përfunduar dëshmitari i tetë i cili në pjesën më të madhe ka dëshmuar në seancë të mbyllur për publikun.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Back to top button