Ambasada britanike: Tensionet e vazhdueshme vënë në rrezik progresin e arritur në Kosovë

(Lajm i përditësuar)

Në lidhje me shpalljen e dy organizatave serbe si organizata terroriste nga qeveria e Republikës së Kosovës, Ambasada e Britanisë në Kosovë për RTV21 ka thënë se tensionet e vazhdueshme vënë në rrezik progresin e arritur me vështirësi në Kosovë gjatë viteve së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët ndërkombëtarë

“Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi i parë që e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe mbetet e përkushtuar për të ardhmen e saj si një shtet i pavarur, multietnik në një rajon të qëndrueshëm dhe të begatë. Ashtu siç ia bëri të qartë Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Kryeministrit Kurti kur u takuan të Hënën, tensionet e vazhdueshme vënë në rrezik progresin e arritur me vështirësi në Kosovë gjatë viteve së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Britanisë.


Shpallja e dy organizatave në veri si terroriste, Ambasada amerikane: Vendim i pakoordinuar

Departamenti amerikan i Shtetit(DASH) tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Washingtonin sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.

Qeveria e Kosovës më 29 qershor i shpalli këto dy organizata si terroriste.

Ambasada amerikane në Kosovë duke cituar një zëdhënës të DASH-it ka konfirmuar për RTV21se vendimi për shpalljen e këtyre organizatave si terroriste është vendim i pakoordinuar me ta.

“Më poshtë i atribuohet në sfond një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit: Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e papranueshme kundër trupave të KFOR-it të udhëhequra nga NATO. Ata që janë përgjegjës për sulmet duhet të mbajnë përgjegjësi, duke ndjekur një proces të rregullt dhe me transparencë të plotë. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e këtyre grupeve si organizata terroriste nuk ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim është dashur të koordinohet me partnerët më të afërt ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e stabilitetit të Kosovës. Ne përsëri i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm ndërsa punojmë me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës aktuale”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për RTV21.

Sipas Kurtit, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR./21Media 

Back to top button