Nis takimi Kurti-Lajçak

(Lajmi përditësuar)
Osmani: Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim përfaqësuesin special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u diskutua mbi sfidat aktuale politike dhe të sigurisë me theks të veçantë në veriun e vendit, përpjekjet për deeskalimin e situatës, sikurse edhe nevojën për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t’i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
“Në kontekst të zhvillimeve të fundit në veriun e vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se grupet kriminale dhe individët që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, duhet të përballen me drejtësinë. Presidentja ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në synimin e saj për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentës.
Nis takimi Kurti-Lajçak
Ka filluar takimi ndërmejt kryeminitrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Lajçak po qëndron në Kosovë në tentimin për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës.
Lajçaku takon komandantin e KFOR-it, flasin për situatën e përgjithshme
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar komandantin e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.
Ata kanë diskutuar lidhur me situatën e përgjithshme dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, u takua me Miroslav Lajçak, Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, dhe Shkëlqesinë e tij Tomas Szunyog, Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë/ Përfaqësues Special i BE-së”, thuhet në një njoftim të KFOR-it në “Facebook”.
“Ata diskutuan përditësimin e fundit për situatën e përgjithshme dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet tutje.
Lajçak së shpejti do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Nis takimi i Osmanit me Lajçakun
Ka nisur takimi në mes të presidentes Vjosa Oamni dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Pas Osmanit Lajçaku do të takojë edhe kryeministrin Albin Kurti.
Kurti pret në zyre Lajçakun në ora 16:00
Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe emisarit evropian, Miroslav Lajçak do të zhvillohet sot në ora 16:00 në objektin e Qeverisë, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Kurti konfirmon se sot do të takohet me Lajçakun
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti konfirmoi se sot do të zhvillojë takim me emisarin evropian Miroslav Lajçak, shkruan portali rtv21.tv
“Po sot kam takim me emisarin Lajçak. Të dielën kisha telefonatë gjysmëorëshe me Borrell dhe si vazhdimësi e asaj bisede të dielën, sot e kemi këtë takim”., tha Kurti në konferencë për media pas takimit me kryeministrin e Holandës dhe atë të Luksemburgut.
Në anën tjetër , Lajçak po ashtu do të takohet dhe me presidenten Vjosa Osmani, takimi është paraparë të fillojë në ora 15:00.
Lajçak vjen sot në Kosovë
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të vizitojë sot Kosovën, në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës. Ai pritet të vizitojë edhe Serbinë, për të bindur palët që të kthehen në dialog.
Bëhet e ditur se Lajçak do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
“Në orën 15:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presidencës.
Kjo është vizita e dytë e Lajçakut brenda një muaji, pasi që ai në fillim të qershorit bëri një vizitë bashkë me emisarin amerikan për Ballkan Gabriel Escobar.
BE-ja vazhdon të përsërisë thirrjet për të dyja palët që të bëjnë hapa të menjëhershëm për shtensionimin e situatës dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që e ndërmjetëson Brukseli. Këto thirrje u bënë edhe gjatë samitit të fundit të liderëve të BE-së që u mbajt javën e kaluar në Bruksel.
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore. Situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar pasi që grupet kriminale vazhdimisht po provokojnë situatën, ku tash e sa herë po raportohet për shpërthime në veri.
Kujtojmë po ashtu se protestuesit serbë kanë sulmuar Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe mediat.