Kadiu për RTV21: Kosovës nuk i ka munguar asnjëherë gatishmëria për deeskalim të situatës

Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit të parë Besnik Bislimi, ka thënë se Qeverisë së Kosovës nuk i ka munguar asnjëherë gatishmëria dhe vullneti për deeskalimin e situatës, në një përgjigje për RTV21.
Kadiu tha se situata e krijuar në veri është rezultat i diktatit të Beogradit zyrtar.
“Nuk duhet asnjëherë të harrojmë se situata e krijuar në katër komunat në veri të vendit është rezultat i diktatit të Beogradit zyrtar fillimisht që kryetarët e mëhershëm të japin dorëheqje, pastaj të bojkotohen zgjedhjet e në fund grupet kriminale të pamundësojnë vijimin e punës së kryetarëve të rinj”, tha Kadiu.
Pyetur nga RTV21 për planin tre-pikësh të BE-së për shtensionim të situatës, Kadiu tha se Kosova ka ofruar propozimet e saja për depërshkallëzimin, të cilat në qendër kanë sundimin e ligjit.
“Ne në anën tjetër, kemi respektuar ligjshmërinë dhe kushtetueshmërinë e vendit dhe në vazhdimësi kemi ofruar propozimet tona për depërshkallëzimin. Ato kanë në qendër sundimin e ligjit, duke pasur për qëllim të ofrojmë një zgjidhje të qëndrueshme. Sundimi i ligjit është vlerë e pakontestueshme e shoqërive demokratike”, thuhet tutje në përgjigjen nga Kadiu.
Sa i përket deklarimeve të eurodeputetëve mbi qasjen e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë, Kadiu tha se masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë të padrejta.
“Në procesin e dialogut duhet të ketë barazvlefshmëri në trajtimin e palëve”. /21Media
NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA