Mitrovica e Veriut edhe një hap drejt anëtarësimit në Asociacionin e Komunave të Kosovës

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka aprovuar kërkesën e komunës së  Mitrovicës së Veriut për t’iu bashkuar Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK). Tash, vendimi iu përket organeve të AKK-së.

Portali rtv21.tv ka siguruar nga MAPL si dokument përgjigjen e kësaj ministrie për Komunën e Mitrovicës së Veriut.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të komunës si më sipër, vlerëson se akti i komunës, është në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, thuhet në dokument.

Ndër tjerash po ashtu thuhet se MAPL konstaton se vendimi i nxjerrë nga Kuvendi i Komunës së M. Verore është i bazuar në ligjin nr. 03/L-40 për Vetëqeverisje Lokale neni 32.1.2.3 për Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Në këtë nen thuhet:

“Neni 32
Asociacionet e komunave të Republikës së Kosovës

32.1 Komunat individuale mund t’i bashkohen asociacioneve përfaqësuese të organeve vetëqeverisëse
lokale të Republikës së Kosovës.

32.2 Aktet inkorporuese dhe dokumentet financiare të asociacioneve të tilla duhet të bëhen publike.
Komunat pjesëmarrëse duhet ta bëjnë publik informacionin për aktivitetetin e komunave të tilla si dhe
kontributet e tyre buxhetore që u jepen asociacioneve.

32.3 Asociacionet e tilla mund t’u ofrojnë anëtarëve të tyre një numër shërbimesh, duke përfshirë
trainimin, ngritjen e kapaciteteve, ndihmën teknike dhe hulumtim në kompetencat komunale dhe
rekomandimet politike, në pajtim me ligjin.”

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka konfirmuar për portalin rtv21.tv se kanë pranuar dje kërkesë nga kjo komunë për t’u anëtarësuar në AKK dhe janë duke e shqyrtuar këtë kërkesë.

“Po, dje e kemi pranuar kërkesën. Tani, pas pranimit të kërkesës nga ana e komunës së Mitrovicës së Veriut e cila është shqyrtuar nga MAPL, janë organet e AKK që do ndërmarrin veprimet e domosdoshme për shqyrtimin e kërkesës së komunës në fjalë. Asociacioni i Komunave të Kosovës do i përmbahet dispozitave statutare të saj në mënyrë që të bëj veprime të përgjegjshme sa i përket shqyrtimit të kërkesës së komunës së Mitrovicës së Veriut për anëtarësim në AKK”, tha Ibrahimi.

Procedurat për t’u anëtarësuar në Asociacionin e Komunave të Kosovës, Mitrovica e Veriut i ka nisur para një muaji./21Media

 

 

 

Back to top button