Maqedonci dhe Jashari takuan Goffus, diskutuan për situatën pas sulmit të 24 shtatorit

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë pritur në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus. Ata kanë diskutuar për situatën e sigurisë në vend pas agresionit serb më 24 shtator në veri të vendit.
Në takim, Maqedonci ka theksuar nevojën që bashkë me partnerët ndërkombëtarë të tejkalohen sfidat e paraqitura.
“Me këtë rast, ministri Maqedonci e falënderoi z. Goffus për vizitën e tij dhe përkushtimin e NATO-s për ofrimin e paqes dhe stabilitetit në vend, si dhe theksoi nevojën që së bashku me partnerët ndërkombëtarë të tejkalohen sfidat e paraqitura si dhe nevojën për fuqizimin e sundimit të ligjit. Gjithashtu, ministri Maqedonci shprehu vendosmërinë e vendit tonë për orientimin euroatlantik, drejt vlerave të vendeve perëndimore, për bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n në dhënien e kontributit aktiv në sigurinë rajonale dhe globale”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.
Gjithashtu Maqedonci dhe Jashari kanë theksuar se “do të vazhdojnë angazhimin në drejtim të zhvillimit dhe forcimit të kapaciteteve të FSK-së për mbrojtjen e territorit, mbështetjen ushtarake për autoritetet civile dhe operacionet e mbështetjes së paqes, në bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in”