KEDS-i tregon se a do të ketë reduktime të energjisë elektrike në ditët në vazhdim

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë-KEDS sot për rtv21.tv bëri të ditur se në ditë në vazhdim nuk do të ketë reduktime të energjisë elektrike.
“Jo e nderuar, aktualisht jemi duke i furnizuar te gjithe kosnumatoret pa nderperje”, u bë e ditur në përgjigjen e KEDS për rtv21.tv
Ndryshe, në muajin dhjetor, qytetarët e Kosovës janë përballur me reduktime të energjisë elektrike. Reduktimet janë udhëzuar nga Operatori i Sistemit dhe Tregut-KOSTT, për shkak të mbingarkesës në sistemin elektro-energjetik. Para objektit të Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë-KEDS është mbajtur një protestë. Grupi i qytetarëve protestën për reduktimet e rrymës e ka vazhduar edhe pranë Qeverisë së Kosovës, ku është kërkuar furnizim i rregulltë me energji elektrike, shkarkimi i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe nacionalizimi i KEDS-it.
Ndërkohë, për fundvit, Shqipëria e ka ndihmuar Kosovën me rrymë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Balinda Balluku ka bërë të ditur se prej datës 31 dhjetor e 1 janar, Shqipëria do t’i japë Kosovës 7680 MWh energji elektrike, e cila do t’i kthehet shteti shqiptar gjatë muajve të verës.
Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7% në muajt e ardhshëm. Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS)./21Media

Back to top button