A do të lëshojë pe LVV në kërkesat e BE-së dhe SHBA-së? Batusha: Jo, duhet t’i kemi qëndrimet tona

(lajm i përditësuar)
A do të lëshojë pe LVV në kërkesat e BE-së dhe SHBA-së? Batusha: Jo, duhet t’i kemi qëndrimet tona
Deputeti i LVV-së Agon Batusha tha se kërkesat e BE-së dhe SHBA-së do të hasin në vesh të shurdhër, nëse ato nuk përkojnë me qëndrimet e pushtetit.
I pyetur në Click të RTV21 nëse Qeveria do të lëshojë pe LVV në kërkesat e BE-së dhe SHBA-së, Batusha u përgjigj: “Jo, duhet t’i kemi qëndrimet tona”.
Batusha: Sjellja e Vuçiqit nuk është ndëshkuar siç jemi ndëshkuar ne me masa
Tutje Batusha tha se edhe pse presidenti serb Aleksandër Vuçiq po ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës, BE-ja nuk është ngutur për ta ndëshkuar atë, njëjtë siç ka vepruar me Kosovën.
“Zgjedhjet në veri u bojkotuan me urdhër të Vuçiqit, pavarësisht se kemi një marrëveshje në Bruksel dhe në Ohër që Kosova është shtet dhe se integriteti territorial dhe sovraniteti nuk cenohen dhe se Serbia nuk duhet të përzihet më në punët e brendshme të Kosovës. Kemi parë këtë sjellje të Vuçiqit dhe kjo sjellje deri më tani nuk është parë që është ndëshkuar, të paktën jo hapur siç janë masat ndaj palës sonë”, deklaroi deputeti i LVV-së në Click të RTV21.
Deputeti i LVV-së Agon Batusha: Kemi parë një qasje jo të balancuar të BE-së ndaj Kosovës
Deputeti i LVV-së, Agon Batusha, tha në Click të RTV21 se BE-ja si ndërmjetësuese e dialogut ka pasur një qasje të pabalancuar ndaj Kosovës në raport me Serbinë.
“Kosova gjithmonë është treguar konstruktive sa i përket qasjes së vet në dialog dhe natyrisht se përgjegjësitë e veta i ka marrë dhe për to përgjigjet, por kemi parë një qasje jo të balancuar, edhe të ndërmjetësuesve, edhe të trajtimit të shtetit të Kosovës. Andaj, ajo që po kërkojmë nga ndërmjetësuesi është që të kemi qasje më të balancuar apo më të drejtë ndaj të dyja palëve”, tha Batusha në Click.
Deputeti i partisë në pushtet tha se në shumë raste, BE-ja nuk i ka trajtuar palët si të barabarta dhe se kjo vërehet më së shumti në vendosjen e masave ndëshkuese.
“Ne besojmë te ndërmjetësuesi dhe ndërmjetësuesi duhet ta kthejë këtë duke qenë të balancauar në qasje ndaj të dyja palëvëe. Ne deri më tani nuk e kemi parë një gjë të tillë në shumë raste, prandaj ne po kërkojë që të kemi një qasje më të balancuar sidomos pas masave ndëshkuese, ku theksohet qasja e pabarabartë ndaj Kosovës”, deklaroi ai. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?