A do të organizohet Haxhi sivjet, për RTV21 flasin nga BIK-u

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) për portalin rtv21.tv ka deklaruar se nuk ka informata zyrtare lidhur me organizimin e Haxhit nga shteti i Arabisë Saudite.
“Ende nuk kemi asnjë informim nga Ministria e Haxhit për organizimin e Haxhit për sivjet”, ka thënë Besir Neziri nga BIK-u për portalin rtv21.tv.
Këtë ritual fetar kosovarët myslimanë nuk patën mundësi ta realizonin që dy vjet për shkak të pandemisë Covid-19.
Por, Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, ka vendosur që sivjet të organizohet udhëtimi për kryerjen e Haxhit.
Autoritetet saudite, në vitin 2020, kufizuan aktivitetet vjetore si pjesë e masave të rrepta për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Në vitin 2021, Arabia Saudite lejoi 60.000 banorë të cilët ishin të vaksinuar kundër koronavirusit që të kryenin ritualin e Haxhit. Besimtarët e huaj nuk u lejuan të marrin pjesë në Haxh.
Pas një pauze dyvjeçare, Ministria e Haxhit raportohet se sivjet hapi dyert për pelegrinët e huaj nga e gjithë bota.
Në Xhaminë e Madhe në Mekë gjendet Qabeja, një ndërtesë në formë kubi që konsiderohet të jetë vendi më i shenjtë për myslimanët.
Pelegrinazhi pesë-ditor i haxhit është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe një detyrë një herë në jetë për çdo mysliman, i cili mund ta përballojë udhëtimin./21Media

Back to top button