A do të shtyhet gjysmëvjetori i dytë?

Për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit omicron disa ekspertë shëndetësor vlerësojnë se gjysmëvjetori i dytë shkollor duhet të shtyhet. Mirëpo, kështu nuk mendojnë edhe anëtarët e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse. Ky komision nuk ka rekomanduar zgjatje të pushimit dimëror ose mësim online, kështu që të enjten nxënësit do të duhet t’u ktheheshin bankave.
Qeveria e re në seancën e saj të parë diskutoi nëse gjysmëvjetori i dytë duhet të nisë në kohë, por nuk sollën vendim.
“Qeveria nuk solli vendim mbi propozimin e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse. U caktua mbledhje e Shtabit qendror operativ në mbrëmje. Ata do të japin rekomandimin e fundit nëse duhet ose jo nxënësit të qëndrojnë në shtëpi ose të kthehen në bankat shkollore”, thanë nga Qeveria.
Mjeku Agron Palloshi është i mendimit se viti shkollor të shtyhet edhe për dy javë, pasi që vlerëson se piku i kësaj vale të virusi nuk ka arritur ende.
“Piku apo maja e infektimeve ditore pritet të arrijë deri në fund të muajit janar apo në fillim të muajit shkurt, kështu që kjo përputhet me fillimin e vitit shkollor, të shkollave fillore dhe të mesme. Sipas mendimit tim, duke i ndjekur statistikat epidemiologjike, rritjen e numrit të të infektuarve, sipas mundësive, duhet të mendohet shtyrja e vitit shkollor edhe për dy javë, që pak të shlirohet sistemi shëndetësor, të mos ngarkohet me numër të madh, në kohë të shkurt”, tha Agron Palloshi.
Shtyrje të fillimit të gjysmëvjetorit të dytë për dy javë ka kërkuar edhe opozitarja VMRO-DPMNE.
“Qeveria në ditën e parë të punës pritet të mendojë ndër të tjera edhe për arsimin. Numri i të sëmurëve me koronavirus nuk është në rënie, ndërsa në mesin e të infektuarve ka shumë fëmijë, pra nxënës”, u bë e ditur në reagimin e kësaj partie.
Ndryshe, nga fillimi i janarit 2022 deri dje, në 16 ditë, numri i rasteve aktive me COVID-19 është rritur për 11 mijë. Nëse më 31 dhjetor 2021 numri i rasteve aktive ishte 5006, dje ishte 16.132./Tv21

Back to top button